TIRANË, 28 gusht/ATSH/- Në bashkinë e Pukës periudha në vijim do të jetë një periudhë shërbimesh ndaj institucioneve arsimore. Për këtë qëllim kryetari i bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj thirri në një takim pune administratorët e njësive vendore, si dhe drejtorët e institucioneve arsimore nga të cilët kërkoi korrektësi në ndjekjen e këtij procesi, i cili fillon nga nesër në të gjithë territorin e bashkisë.
“Në 17 shtator të gjithë shkollat e bashkisë Pukë duhet të kenë të përfunduara të gjithë shërbimet. Baza materiale ka ardhur në njësitë administrative, ndaj ju administratorët angazhoni punonjësit e shërbimeve, ndërsa drejtorët e shkollave të raportojnë për çdo nevojë edhe tani kur puna ka filluar”, iu drejtua kryebashkiaku Gjonaj administratorëve dhe drejtuesve të institucioneve arsimore.
Kryebashkiaku nga ky takim ka lëshuar dhe një ultimatum ndaj atyre, të cilët mendojnë se është viti i fundit i mandatit të legjislaturës dhe mund të abuzojnë.
“Askush mund të mendojë se duhet ulur tempi i punës për shkak se jemi në vitin e fundit të këtij mandati. Ju garantoj se do të ketë punë më intensive dhe në këtë drejtim nuk do të udhëhiqem nga interesi i votave që të tolerojmë në asnjë pjesë të funksionit tonë si pushtet vendor”, u shpreh Gjonaj.
Krerët e institucioneve arsimore teksa falënderuan kryebashkiakun për fillimin në kohë të shërbimeve ndaj shkollave u interesuan dhe për furnizimin me lëndë drusore për ngrohje, gjë e cila sipas kryetarit Gjonaj do të sigurohet brenda muajit tetor sipas planit vjetor të të gjithë shkollave.
Bashkia e Pukës me qëllim kursimin e taksave të qytetarëve po kryen vetë me punonjësit e shërbimeve në bashki dhe njësitë administrative shërbimet ndaj institucioneve arsimore./k.s/j.p/
