Akuzat e opozitës, Biba: Nuk ka qenë shantazhim, të zbardhet biseda

TIRANË, 28 gusht/ATSH – I. Vata/ – Nënkryetari i KQZ, Denar Biba ka deklaruar se akuzat e opozitës vijnë pak muaj para se të nisë periudha zgjedhore.

Në lidhje me akuzat e shantazhimit të gjyqtarit shqiptar në Strasburg, Ledio Bianku, Biba pohon se e ka mik gjyqtarin Ledio Bianku dhe mohon akuzat për shantazh ndaj tij.

Biba u pyet nga ATSH: Si i konsideroni akuzat e opozitës? Mos është një sulm i paramenduar ndaj KQZ dhe pse ju zgjodhën ju kësaj radhe?

“Këtë pyetje kam edhe unë. Pse tani, fare pak muaj para se të nisë periudha zgjedhore?” – theksoi Biba.

Duke lënë si të dyshimtë sulmin e opozitës për qëllimin e saj, Biba pohon se në deklaratën për mediet, jam shprehur se “s’ka nevojë të bëni dedektivin me mua. Unë e kam takuar mikun tim Ledi Bianku, ndër të tjera edhe në vizitën zyrtare pranë GJEDNJ, ku isha pjesë e delegacionit të kryesuar nga ish-zv.kryeministri i kohës. Kemi shkuar zyrtarisht për të kërkuar shtyrjen e detyrimit të shtetit shqiptar për të paguar njëherësh ish-pronarët e shpronësuar. Pra, qëllim shtetëror, jo personal. Kam takuar mikun tim Bianku dhe i kam kërkuar të na ndihmojë me eksperiencën e tij; nëse kishte raste të tjera, kërkesa të ngjashme”.

Më tej Biba shpjegon se “metafora e trenit ishte në përgjigje të pyetjes që Bianku më bëri mua se “përse pranova detyrën e kryetarit të KPP”, duke qenë se ishte në dijeni të aspiratës sime për Gjykatën Kushtetuese. Ja kaq e thjeshtë është. Mjaft të dëgjoni bisedën e plotë, dhe do ta kuptoni që “sakrifica” e përfolur ishte e imja dhe s’kishte asnjë lidhje me z.Bianku. Isha unë që pranova një detyrë që nuk e doja”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.