“Tirana, 100 km” një histori nga realiteti garon në festivalin e Virxhinias

TIRANË,27 gusht /ATSH/ – Filmi “Tirana, 100 km” është përfshirë në konkurrim zyrtar në “West Virginia Filmmakers Festival”. Filmi shqiptar me regji nga Lorin Terezi garon për kategorinë filmi më i mirë i huaj.

Festivali i parë “West Virginia Filmmakers” u mbajt në pranverën e vitit 2001 në Virxhinia. Bashkëthemeluar nga Kevin Carpenter dhe Steve Fesenmaier për të shfaqur regjisorët më të mirë në Virxhinia. Sot ky festival konsiderohet si nga më të rëndësishmit edhe për regjisorët e rinj dhe bën bashkë në konkurrim filma të ndryshëm nga e gjithë bota.

Këtë herë në edicionin e këtij viti do të garojë dhe “Tirana, 100 km” me skenar nga Lorin Terezi dhe Anila Balla, që është dhe përfaqësuesi shqiptar në këtë garë filmash.

Filmi prodhuar nga shtëpia filmike Movie-On me producent Artan Malaj financim i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë ka qenë në konkurrim në disa festivale kombëtare dhe ndërkombëtare deri tani. Me këtë konkurrim në “West Virginia Filmmakers Festival” është në garë për të dhjetën herë me filmat nga bota. Filmi me regji nga Lorin Terezi sjell për publikun një histori, që e gjen në realitetin e përditshëm. Aktorët janë Anila Balla, Kastriot Shehi, Ardian Cerga në rolet kryesore.

“Tirana, 100 km” është një histori nga realiteti i përditshëm dhe është përshtatur duke u bërë pak më artistike, por në film trajtohet fenomeni i femrës dhe rrënimi i saj.
Filmi pati premierën në Shqipëri në nëntor të vitit që kaloi në “Tirana International Film Festival” ( TIFF), që u zhvillua në Tiranë.

Jeta e luksit për Lindën që interpretohet nga Anila Balla merr fund kur Stefani, që luhet nga aktori Ardian Cerga, biznesmen i suksesshëm vdes. E gjendur e papërgatitur në një atmosferë armiqësore, ajo kthehet në vendin e lindjes. Por, me ç’duket, fshati ka mbetur ashtu siç ajo e ka lënë, bashkë me rrugët, njerëzit dhe familjen. Dëshmitare e mjerimit, pa e kaluar pragun e shtëpisë, ajo riniset drejt kryeqytetit, 100 kilometra larg.

Në filmin me metrazh të shkurtër një tjetër personazh ai që luhet nga Kastriot Shehi vjen si një nga miqtë e ngushtë të biznesmenit Stefan. Ai bën detyrat nga më të rëndomta për të mbijetuar në vendin e punës, por që sigurisht nuk është në pozitat e Stefanit nuk ka mirëqenien e tij.

Në çdo edicion të tij nga viti 2001 dhe deri te ai më i fundit një vit më parë “West Virginia Filmmakers Festival” është parë për shumë regjisorë si një mundësi për të treguar projektet e tyre me kinemanë dhe të përballen në gjykimin e jurisë ndërkombëtare./a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.