BERZH, 10 miliardë euro investime në rajonin e Ballkanit

TIRANË, 27 gusht/ATSH/- Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka investuar 10 miliardë euro në rajonin e Ballkanit.

Kështu deklaroi Presidenti i BERZH-it, Suma Chakrabarti në fjalën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit informal të kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u zhvillua sot në Durrës.

“Ky është rajoni me investime më të larta për frymë brenda për brenda BERZH-it dhe jam shumë i lumtur dhe krenar për këtë gjë. Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse nuk do të kishte ndryshim në vendet e Ballkanit Perëndimor”, nënvizoi Chakrabarti.
Sipas tij, fakti që ka pasur ndryshim brenda Ballkanit Perëndimor, BERZH ka pasur mundësi të investojë më tepër.

Kreu i BERZH-it, u shpreh se “për këtë arsye skuadrat tona në rajon kanë një sfidë të vërtetë për të tejkaluar shifrën prej 10 miliardë që kemi investuar deri tani. Por, ndërkohë edhe sfida për të ndihmuar për perspektivën europiane për të investuar më tepër çdo vit deri në 50 vitet e ardhshme në mënyrë që këtë axhendë mund ta përshpejtojmë më tej”, .
Për të treguar angazhimin tonë, vijoi ai, ne do të organizojmë takimin e ardhshëm në maj të 2019 në Sarajeve dhe takimi ynë do të jetë për Ballkanin Perëndimor.

“Shpresoj që kryeministrat e rajonit të jenë të pranishëm atje, është një takim për ta na sfiduar dhe për të bërë më shumë në vitet në vijim”, shtoi Chakrabarti.

Presidenti i Berzh-it duke falënderuar kryeministrin Rama dhe kryeministrat e tjerë të rajonit tha se “pa lidershipin tuaj do të ishte e pamundur që BERZH-i të bënte më tepër në këtë rajon. Pra është për shkak të këtij lidershipi, të gjeneratës së re të liderëve në rajon që ne të bëjmë më tepër gjëra në rajon”.

“Kemi shumë për të bërë, por siç tha dhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç, duhet të bëjmë një inventar të gjërave që janë realizuar deri tani dhe që njerëzit as nuk i mendonin pesë vite më parë, përfshirë këtu investimet në energji, transport apo tubacionet e transmetimit të gazit, po ashtu edhe fakti që kemi sjellë Dhomat e Tregtisë ose axhendën e konektivitetit, ose investime në gjithë rajonin. Pa diskutim është realizuar shumë, por e dimë që ka shumë elementë të tjerë në axhendë sa i përket barrierave tarifore, uljes së tyre dhe krijimit të mjedisit më miqësor, si për investitorët vendorë dhe ata të huaj”, theksoi presidenti Chakrabarti./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.