Vendbanimi i Komanit, destinacion me potencial turistik

TIRANË, 24 gusht/ATSH/ Vendbanimi i Komanit një destinacion potencial turistik,  të ofron natyrë mbresëlënëse, ajër të pastër, arkeologji të pasur si dhe mikpritje të ngrohtë nga banorët.

Porti i vogël në Fierzë të Bajram Currit, vetëm një orë larg qytetit të Gjakovës, shumë shpejt mund të shndërrohet në portën hyrëse të një perle turistike të së ardhmes, liqenit të Komanit.

I ndërtuar fillimisht si liqen artificial për furnizimin me ujë të hidrocentralit të Komanit, ky liqen në vitin 2000 filloi të përdorej edhe për udhëtim, kryesisht për lidhjen e Gjakovës dhe malësisë së saj me pjesën tjetër të Shqipërisë.

Por në dy vitet e fundit liqeni i Komanit ka filluar të nxisë edhe kureshtjen e vizitorëve, veçanërisht atyre të huaj, pikërisht për faktin e atraksionit që sjell jo vetëm udhëtimi përmes tij, por edhe për fshatrat e shumtë piktoreskë që shtrihen buzë liqenit.

“Përgjatë tërë liqenit, nga Fierza e deri në Koman, në një udhëtim që zgjat më pak se tri orë, vizitorët mund të mahniten me pamjet që ofrohen.

Udhëtimi me traget apo me ndonjë barkë më të vogël ofron kënaqësi të pa përshkruar, ndërsa atraksion në vete janë fshatrat e kësaj zone dhe grykat e disa lumenjve që derdhen në liqen.

Lirisht mund të themi se liqeni i Komanit është një ndër vendet më të bukura dhe që më së shumti ia vlen të vizitohen në Shqipëri”, sugjeron DRKK Shkodër. /m.z/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.