Thaçi në Austri, merr pjesë në forumin “Alpbach”

PRISHTINË, 24 gusht/ATSH/- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për në Austri, ku do të marrë pjesë në Forumin Europian në Alpbach të Austrisë.

Me ftesë të presidentit të Austrisë, Alexander Van der Bellen, presidenti Thaçi, së bashku me krerët e shteteve të rajonit dhe të Bashkimit Europian, do të jetë pjesë e një takimi të përbashkët.

Gjatë qëndrimit atje, presidenti Thaçi do të marrë pjesë edhe në aktivitetin me temën “Perspektiva të reja për zgjerimin e BE-së”.

Ai po ashtu do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian, si dhe me personalitete të ndryshme të jetës publike dhe politike në Europë.

Forumi “Alpbach” në Austri është ndër institucionet më prestigjioze që mbledh çdo vit liderë, nobelistë, akademikë, shkencëtarë dhe personalitete të ndryshme nga mbarë bota. /KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.