Porti Durrës, përpunohen njëherësh 7 anije në kalatat e tre terminaleve

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ – Shtatë anije me grurë, sojë, kontenierë, çimento, skrap, melaminë dhe ure’ po përpunohen sot në kalatat e portit më të madh të vendit.
Vetëm në Terminalin e Mallrave Gjenerale (Terminali Perëndimor) tri skuadra punonjësish stivadorë dhe 6 elektrovinça janë programuar të punojnë në turnin e parë të së premtes -bëjnë të ditur burime nga Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual Durrës (APD). Bashkë me to po punojnë edhe dhjetëra kamionë të agjencive spedicionere.
Grupe punonjësish dhe mjetesh kanë filluar përpunimin e tri anijeve të tjera në Terminalin Lindor dhe në atë të kontenierëve.
Në Qendrën e Informacionit, mësohet gjithashtu se përveç shtatë anijeve me 23 mijë tonë mallra dhe 125 kontenierë sot në kalata, brenda kësaj fundjave pritet të mbërrijnë edhe pesë anije të tjera me 266 kontenierë dhe mbi 22 mijë tonë mallra të ndryshme./e.malaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.