ITALI – Roma ngre tonin përballë Brukselit për çështjen e migrantëve

ROMË, 24 gusht /ATSH-AFP/ – Linjë e fortë, deklarata të ashpra dhe ultimatume, Roma rrit tonin përballë Europës mbi çështjen e ndarjes së migrantëve, ku gati 150 janë të bllokuar prej më shumë se një javë në bord të një anije të rojes bregdetare italiane.

Pas sulmeve të përsëritura këtë verë nga ministri italian i Punëve të Brendshme, Matteo Salvini (që është gjithashtu zëvendëskryeministër) për çështjen migratore, Bashkimi Europian është tashmë edhe shënjestra e liderit të Lëvizjes 5 Yjet (L5Y, antisistem), Luigi Di Maio, që ka rritur edhe më shumë presionin.

“Ne kemi pasur rastin që të shohim gjatë muajve të fundit se si funksionon qasja e moderuar me Bashkimin Europian dhe si funksionon linja e fortë kundrejt BE-së”, deklaroi Di Maio në “Facebook”.

“Nëse BE-ja qëndron me këtë sjellje, nëse nesër (të premten) mbledhja e Komisionit nuk vendos azgjë, nuk ka një zgjidhje për anijen ‘Diciotti’ dhe për ndarjen e migrantëve, atëherë unë dhe e gjithë L5Y-ja nuk do të jemi më të disponueshëm që të japim 20 miliardë euro për Bashkimin Europian çdo vit”, shtoi kreu i L5Y-së.

“Askush nuk zbarkon në Itali pa autorizimin tim. Italia nuk do të bëhet një kamp refugjatësh për pjesën tjetër të Europës”, theksoi dje, nga ana e tij, Matteo Salvini. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.