Sarandë – Ura në fshatin Leshnicë e Poshtme do të restaurohet

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ – Ura në fshatin Leshnicë e Poshtme në Sarandë, monument kulture e ndërtuar në shekullin XIX, pritet t’i nënshtrohet së shpejti restaurimit.

Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin e hartuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë, i cili parashikon ndërhyrje konsoliduese, restauruese në këtë monument.

Instituti i Monumenteve të Kulturës mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje, e cila kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Ura e Leshnicës së Poshtme u ndërtua në shekullin e 19-të, në mënyrë që fshati të kishte akses nga ana e përroit. Ajo ka një hark drite prej 6 metra, e ndërtuar me muraturë të tipit me qemer, shek. XIX.

Gjatësia e saj është 11 metra, lartësia 4,5 metra dhe gjerësia 2 metra.
Urët e gurta të asaj periudhe rezistojnë akoma sot, pasi mjeshtrat i ndërtonin me merak të veçantë, duke respektuar gjithmonë ligjet e natyrës. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.