SHBA, Schneider: Jam impresionuar nga rezultatet e Shqipërisë në luftën kundër krimit

TIRANË, 22 gusht/ATSH – I. Vata/ – Jam impresionuar nga përpjekjet e Shqipërisë në luftë kundër krimit të organizuar dhe rezultatet e saj ka deklaruar Prokurori i Përgjithshëm i Detroitit, z.Matthew J.Schneider në takimin e sotëm me zv.ministrja e Brendshme Kuko, e cila vijon takimet në SHBA në kuadër të Projekteve konkrete të Policimit në Komunitet.

Vizita e zv.ministres së Brendshme Romina Kuko në SHBA vijoi me takime në Departamentin e Drejtësisë, ku bisedoi me Prokurorin e Përgjithshëm të Detroitit, z.Matthew J.Schneider dhe me zëvendësin e tij, Hank Moon.

Takimet me zyrtarët amerikanë u konsideruan mjaft të frytshme, pasi lidhen me projekte dhe bashkëpunim konkret.

Kuko shprehu vlerësime për nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit mes vendeve në fushën e zbatimit të ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar, si dhe çështje me interes dypalësh.

Ndërsa prokurori Schneider tha se është informuar mbi përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe është i impresionuar me rezultatet. “Departamenti i Drejtësisë së SHBA ka dërguar një ekspert pranë Policisë shqiptare për të dhënë ndihmë dhe ekspertizë në fusha specifike”, – theksoi Schneider.

Zv.ministrja Kuko bëri një përmbledhje të strukturës, veprimtarisë dhe rezultateve të Task Forcës Speciale, që është ndërtuar për të luftuar krimin e organizuar, në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.

Zv.ministrja e Brendshme takoi gjithashtu Drejtorin e Policisë së Dearnborn në Detroit, Ronald Haddad, me të cilin u diskutuan projekte konkrete dhe modele të Policimit në Komunitet, apo për oficerët e sigurisë në shkolla.

Projekti i Policimit në Komunitet në Dearborn është modeli më i suksesshëm në SHBA, për shkak se në 5 vite uli kriminalitetin me 60% në një zonë heterogjene. Në këtë takim u fol gjithashtu për disa modele të angazhimit në komunitetit, në nisma që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.