Në Kosovë falet namazi i Kurban Bajramit

PRISHTINË, 21 Gusht /ATSH/.- Në Xhaminë e Madhe në Prishtinë u zhvillua ceremonia e faljes së namazit të Kurban Bajramit.

Besimtarë të shumtë ishin të pranishëm në këtë ceremoni, si brenda objektit të xhamisë ashtu edhe në oborrin e saj.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu, Naim  Tërnava, tha në mesazhin e tij për këtë festë se “Kurban Bajrami është sinonim i shkëputjes dhe ndarjes fizike dhe shpirtërore të besimtarit me të keqen dhe të ligën, që cënon të drejtat dhe liritë, vlerat dhe virtytet, njeriun dhe njerëzinë”.

Drejtuesit institucionalë, politikë e fetarë në mesazhet e tyre urojnë paqe, solidaritet dhe mirëkuptim, mirësi, siguri e prosperitet,  duke theksuar vlerat e tolerancës ndërfetare dhe ndërkulturore.

 “Uroj që mirësia, urtësia, harmonia, paqja dhe uniteti përherë të mbretërojnë në familjet tona dhe më gjerë, si vlera universale të njerëzimit”, është shprehur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Uroj që në Ditën e Sakrificës, të rrisim ndjenjën e respektit e zemërgjerësisë ndërmjet nesh dhe, së bashku, të jemi në shërbim të të mirës së përgjithshme”, theksohet në mesazhin e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Bashkësisa Islame e Kosovës ka organizuar pritje përurimi dhe u ka uruar  festën e Bajramit të gjithë qytetarëve, besimtarëve në vend dhe bashkë atdhetarëve kudo që janë në mërgatë./b.j/ k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.