Mat, Xhaçka: FA ndihma në zonat e dëmtuara nga tërmeti

TIRANË, 21 gusht/ATSH – I. Vata/ – Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka vizitoi sot familjet e prekura nga tërmeti i pak ditëve më parë që preku qarkun e Dibrës.

Tërmeti i disa ditëve më parë me epiqendër Macukullin ka dëmtuar në bashkinë Mat, 300 shtëpi nga të cilat 36 janë të pabanueshme.

Në bashkinë Mat, ministrja e Mbrojtjes, Xhaçka ka zhvilluar takime me familjet në fshatin Vinjoll që ishte dhe epiqendra e tërmetit si dhe në fshatin Dukagjin.

Ministrja Xhaçka tha se “në bashkinë Mat prej ditësh janë sistemuar mbi 20 familje me çadrat e ngritura nga FA pas dëmtimit të shtëpive”.

Po ashtu, ministrja Xhaçka u shpreh se “pushteti vendor është indiferent ndaj banorëve në vështirësi, pasi puna e bashkisë për vlerësimin e dëmeve jo me ritmet e duhura. S’ka asnjë justifikim për të mos qenë prezent tek këta banorë”.

Ne te gjithë qarkun e Dibrës janë rreth 500 shtëpi të dëmtuara nga të cilat  300 prej tyre janë në bashkinë Mat dhe nga këto 300, 36 janë të pabanueshme.

Nga këto 36 rreth 20 prej tyre janë strehuar në çadra ndërsa pjesa tjetër kanë patur akses nga familjarët duke u strehuar te të afërmit e tyre.

Ministrja, Xhaçka është njohur nga afër me shqetësimet dhe nevojat e banorëve të gjendur në vështirësi, si dhe është njohur me procesin e vlerësimit të dëmeve të ndjekur nga bashkia që është në proces e sipër dhe pritet që të përfundoja brenda 2 javësh.

Pasi bëhet vlerësimi i dëmeve, këshilli bashkiak vendos për kompensimin sipas ligjit.

Dëmet e banesave do të kompensohen në nivelin 50% nga Emergjencat Civile përsa i përket dëmit ndërtimor, ndërsa për orenditë ato kompensohen në nivel 100% nga ana e shtetit, por dëme të tilla kanë qenë shumë të vogla. Emergjencat civile që nga  dita e parë e kësaj emergjence janë në shërbim dhe në ndihmë të banorëve të prekur nga tërmeti.

Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile prej ditësh kanë asistuar familjet në të gjitha njësitë administrative, banesat e të cilave janë të pabanueshme, me çadra, pako ushqimore, shtretër e bazë materiale.

Sot efektivët e FA dhe të Emergjencave Civile shpërndanë ushqime për të gjitha familjet, kontribut për festën e Kurban Bajramit, ku ministrja e Mbrojtjes, Xhaçka uroi besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

“Dita e sotme, mesazh për solidaritet e tolerancë veçanërisht për të pamundurit”, – tha Xhaçka

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.