ARABI SAUDITE – Më shumë se 2 milionë pelegrinë myslimanë festojnë ditën e sakrificës

RIAD, 21 gusht /ATSH-AFP/ – Rreth 2,4 milionë besimtarë në pelegrinazhin e Mekës kryen sot ritualin e goditjes me gur të Shejtanit, në ditën e parë të Aïd al-Adha, festa e sakrificës që përkujtohet nga myslimanët në të gjithë botën.

Me thirrjen “Allah Akbar” (Zoti është më i pushtetshmi) besimtarët parakalonin me turma të vazhdueshme, nën syrin vigjilent të forcave të sigurisë për të hedhur gurë mbi kolonat që simbolizojnë Shejtanin në luginën e Minas, pranë Mekës.

Myslimanët besojnë se besimi i Ibrahimit u testua kur Zoti e urdhëroi atë të sakrifikonte djalin e tij të vetëm, Ismailin. Zoti i mbajti dorën duke i kursyer jetën të birit.

Në versionin kristian dhe hebre të historisë, Abrahami u urdhërua të vriste të birin, Isakun. Ditët e fundit të Haxhit koinçidojnë me festën e Kurban Bajramit, apo festën e sakrificës, pikërisht në nder të vënies në provë të besimit të profetit Ibrahim.

I gjithë itinerari i përshkruar është i mbushur me shishe plastike boshe dhe mbeturina të çdo lloji, megjithëse ky fakt nuk i ka shqetësuar për asnjë moment besimtarët.

Gjithë bota ruan në memorie shtypjen masive të 2015 në Mina, ku u regjistruan 2 300 të vdekur, por pelegrinët shprehen se nuk i tremben përsëritjes së një katastrofe të tillë./

/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.