FUTBOLL- “Sasuolo” mposht “Interin” me rezultatin 1-0

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ – Skuadra e “Interit” është mposhtur nga “Sasuolo” me rezultatin minimal 1-0, duke e filluar sezonin e ri të Serisë A me dështim.

Skuadra e udhëhequr nga Roberto De Zerbi ka arritur të fitojë me anë të një 11-metërshi i cili u kthye në gol nga Berardi.

Edhe pse ka pasur disa përforcime, skuadra e “Interit” dhe prurjet e reja nuk kanë arritur të fitojnë ndeshjen e parë të Serisë A, ku u pa se këta të fundit nuk po arrinin dot ambientimin e duhur me ekipin.

Mbrojtësit De Vrij dhe Asamoa, Politano si dhe Martinez nuk ndikuan aspak në lojën e skuadrës, duke krijuar konfuzion dhe aksione aspak të rrjedhshme.

Ekipi zikaltër nuk arriti të dilte dot në lojën e tij dhe të finalizonte, diçka të cilën e bëri ekipi kundërshtar i “Sasuolos” me anë të një 11-metërshi.

Edhe pse ekipi i “Interit” tentoi të ndryshonte rezultatin, diçka e tillë nuk ndodhi, duke u mbyllur takimi në shifrat 1-0.

Shkon në 4 numri i disfatave të njëpasnjëshme të “Interit” dhe e teta në 9 ndeshjet e fundit ndaj “Sasuolos”. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.