Punë intensive në rrugën e Arbrit, do të nisë ndërtimi i urës së Vashës

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Vazhdon me intensitet të lartë puna në kantierin e ndërtimit të rrugës së Arbrit e cila do të jetë realitet brenda tre vjetësh. Rruga do të shkurtojë kohën e lidhjes së Klosit, Bulqizës e Burrelit me Tiranën, duke sjellë lehtësi të mëdha për banorët e këtyre zonave.

Të enjten u shënua edhe hapja e tunelit T5, 500 metër i gjatë, ndërsa përtej tij do të fillojë ndërtimi i urës së Vashës e cila do të kryejë lidhjen në anën tjetër të rrugës në drejtim të Bulqizës.

Rruga e Arbrit është projekti i parë i rëndësishëm që do të ndërtohet në kuadër të programit “1 miliard për Rindërtim”.

Puna që pas çeljes së kantierit ka vijuar me intensitet të lartë. Rruga do të shkurtojë lidhjen e Klosit me Tiranën në më pak se 30 minuta, të Bulqizës në më pak se 40 minuta, por edhe do të çlirojë energji të shumëfishuara zhvillimi edhe për Burrelin, që do të lidhet me Tiranën për 1 orë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.