SOFT NEWS – Kryeministri i Tongas sfidon homologët me humbje në… peshë!

UELLINGTON, 18 gusht /ATSH-AFP/ – Kryeministri i ishujve Tonga po sfidon homologët e tij të Paqësorit duke provuar të humbë sa më shumë në peshë për të sensibilizuar kështu popullsitë lokale përballë obezitetit në rritje.

Paqësori është rajoni i botës ku niveli i obezitetit është më i larti dhe shefi i qeverisë së Tongas, Akilisi Pohiva, vlerëson se i takon drejtuesve të këtij rajoni që të dalin në krye të luftës kundër kësaj sëmundje.

“Ne duhet që të gjithë të futemi në një garë për të humbur peshë, për një vit”, tha ai në një intervistë për “Samoa Observer” këtë javë.

“Dhe kjo me qëllim që ne të peshohemi vitin e ardhshëm kur të takohemi sërish. Do të shohim se kush ka humbur më shumë peshë”, tha ai.

“Qëllimi nuk është që të dimë se kush do të humbasë më shumë kilogramë, por duhet promovuar një mentalitet i shëndetshëm”, theksoi Pohiva.

Nëntë nga 10 vendet më të prekura nga obeziteti në botë ndodhen në ishujt e Paqësorit, sipas një studimi të vitit 2015 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë./ /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.