“Virusi i Nilit perëndimor”, ISHP: Asnjë rast deri tani

TIRANË, 17 gusht/ATSH/-Edhe pse “Virusi i Nilit perëndimor” është kthyer në qendër të vëmendjes së opinionit publik, sipas të dhënave nga  Instituti i Shëndetit Publik nuk konstatohet asnjë rast i prekur nga ky virus gjatë 2018-ës.

Edhe pse në Shqipëri sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik nuk konstatohet asnjë rast i prekur nga ky virus gjatë 2018-ës, sipas shefit të infektivit në QSUT Arjan Harxhi, ekziston rreziku që virusi të përhapet.

“Ky lloj virusi, burimi infeksion janë kafshët kryesisht kali apo shpendët, edhe shpendët migratorë nga zonat tropikale por edhe mushkonja kuleks që është e pranishme në Shqipëri, pra ekzistojnë faktorët etnologjikë që të ketë raste edhe në vendin tonë. Mushkonja kuleks është e pranishme dhe ka habitatin e vet në Shqipëri, sidomos në zonat e ultësirës perëndimore, pra në zonat ish-kënetore apo në çdo ambient tjetër ku janë të pranishme kushtet e mikro-habitatit që janë kryesisht ujërat e ndenjura apo zona të tjera me lagështirë”, -ka shpjeguar Harxhi.

Virusi i Nilit perëndimor mund të shkaktojë sëmundje fatale neurologjike tek njerëzit edhe pse rreth 80% e njerëzve që janë të infektuar nuk shfaqin asnjë simptomë.

Simptomat e këtij virusi përfshijnë temperaturë, dhimbje koke, lodhje dhe dhimbje të trupit, të përziera, të vjella, herë pas here skuqje të lëkurës dhe enjtje të gjëndrave limfatike. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.