FUTBOLL – Argjentina nuk grumbullon Lionel Mesin dhe yje të tjerë

BUENOS AIRES, 17 gusht /ATSH-AFP/ – Ylli argjentinas, Lionel Mesi lihet të pushojë, bashkë me kuadrot e tjerë si Angel Di Maria, Serxho Aguero apo Nikolas Otamendi, në vend të tyre u krijohet hapësirë të rinjve.

Trajneri i përkohshëm i Argjentinës, Lionel Skaloni ka bërë zgjedhje të forta për grumbullimin e tij të parë pas dështimit të argjentinasve në Botërorin 2018.

Federata argjentinase e Futbollit (AFA), që publikoi sot listën me 29 lojtarët e grumbulluar për ndeshjet miqësore kundër Guatemalas më 7 shtator në Los Anxhelos dhe Kolumbisë në 11 në Nju Jork, nuk dha asnjë detaj për mungesën e Mesit.

Por sipas medias argjentinase, ylli i “Barcelonës” ka zhvilluar një bisedë me Skalonin dhe i ka kërkuar që të mos e grumbullojë për katër ndeshjet miqësore të vitit 2018. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.