TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi se ka bllokuar një baxho në Shkodër, ku ka kapur në flagrancë shtetasin Durim Gallubja, i cili tregtonte djathë të bardhë pa asnjë lloj etikete si dhe në kushte të rënda higjieno-sanitare.
AKU bën të ditur se po tregohet tolerancë zero ndaj çdo subjekti abuzues me sigurinë ushqimore. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka forcuar dhe shtrënguar akoma më shumë masat dhe kontrollet, nëpërmjet monitorimeve dhe sinjalizimeve në stabilimentet e produkteve të qumështit dhe nënproduktet e tij, me qëllim sigurimin dhe garantimin e çdo produkti që tregtohet në vend.
Në vazhdimësinë e kontrolleve në baxho, inspektorët e AKU-së kanë kapur në flagrancë shtetasin Durim Gallubja, i cili tregtonte djathë të bardhë pa asnjë lloj etikete si dhe në kushte të rënda higjieno-sanitare.
Nga ky kontroll, trupa inspektuese e DRAKU, Shkodër konstatoi që subjekti me aktivitet “Përpunim qumësht, baxho” kryente veprimtari në kundërshtim me standardet e sigurisë ushqimore duke ruajtur produktin djathë në ambient frigoriferik me përmbajtje myku si dhe temperatura e trajtimit të qumështit nuk ishte në normat e lejuara.
Për sa më sipër u mor masë administrative gjobë 350,000 lekë, mbyllje të aktivitetit si dhe bllokim të sasisë së produktit “djathë i bardhë” prej 120 kg, si dhe u morën mostra për analiza.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor (njësive të tregtimit e shërbimit) që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para – produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara dokumentacion të plotë veterinar e fiskal – pasi është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre.
Gjithashtu, AKU inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në info@aku.gov.al si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët. /j.p/
