PD: Anulim koncesioneve korruptive në Shëndetësi

TIRANË, 16 gusht/ATSH- I. Vata/ – Partia Demokratike do anullojë çdo koncesionin korruptiv në Shëndetësi dhe paratë do investohen për shërbim dhe shëndetësi të lirë, deklaroi sot në një deklaratë për mediat deputetja e PD-së, Lindita Metaliaj.

Në deklaratën për mediet, deputetja e PD-së, Metaliaj shprehet se shqiptarët dynden në QSUT, në rrethe s’ka mjekë dhe kushte shërbimi.

Duke iu referuar KLSH-së Metaliaj, shprehet se Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka përkufizuar me një fjali përkeqësimin e sistemit shëndetësor në 4 drejtime kryesore. “Mungesa e specialiteteve pranë shërbimeve në spitalet rajonale dhe bashkiake, si dhe mungesa e performancës së shërbimit parësor, ka krijuar rritjen e kostove dhe përqendrimin e pacientëve në qendrën më të madhe universitare, QSUT”, thuhet në konkluzionin e KLSH-së.

Metaliaj shton se dhënia me koncesion e shëndetit të shqiptarëve nga qeveria është arsyeja kryesore e përkeqësimit të përditshëm të Shëndetësisë.

“Janë të paktën 385 milionë euro që paguhen nga taksat tona për 4 koncesione në shëndetësi. 120 mln euro për Check up,100 mln euro për laboratorët, 92 mln euro për sterilizimim e pajisjeve mjekësore, 73 milionë për hemodializën. Asnjë nga këto koncesione nuk ka përmirësuar shërbimin në rrethe. Spitalet Rajonale nuk funksionojnë dhe i gjithë sistemi shëndetësor është në kolaps”, – shprehet Metaliaj.

Sipas deputetes së PD-së, Metaliaj në Spitalin Rajonal të Lezhës, zonë të cilën përfaqëson në Parlament, përveç ilaçeve dhe pajisjeve, mungojnë: mjeku anatomo- patolog, mjeku hematolog, mjeku ortoped-traumatolog, mjeku anestezist, mjeku neurolog e psikiatër, mungojnë kirurgët.

“Shëndetësia sot është më keq, sepse Ogerta Manastirliu dhe Ilir Beqja kanë zgjedhur të japin qindra milionë euro për koncesione dhe tendera korruptivë”, – shprehet Metaliaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.