Gjermania, 6.5 milionë euro grant për bujqësinë në Kosovë

PRISHTINË, 16 gusht/ATSH/- Ministri i Financave, Bedri Hamza dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, nënshkruan sot marrëveshjen për grantin “Shërbime financiare për krijimin e vendeve të punës në sektorin e bujqësisë – Fondi për Garantimin e Kredive III”.

Me këtë rast, ministri Hamza  i shprehu mirënjohjen qeverisë dhe taksapaguesve gjermanë për kontributin e dhënë për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, të cilët deri më tani kanë kontribuar me mbi 500 milionë euro.

Sipas tij, marrëveshja e sotme, e cila kap vlerën 6.5 milionë euro, të cilat janë pa mundësi kthimi, ndikojnë në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes sektorit privat.

“Këto 6.5 milionë euro janë për fondin e garantimit të kredive. Ky fond është themeluar me ndihmën e donatorëve, kontribuesi më i madh është qeveria gjermane deri më tani, qëllimi është që të fokusohen grupet sidomos njerëzit e rinj, gjinia femërore që kanë plane të qëndrueshme të biznesit, por ndoshta u mungon kolaterali dhe iu mungon historiku në bankë dhe kanë mundësi që të realizojnë kredi me kushte më të volitshme. Specifikisht, këto mjete janë për përkrahjen e ndërmarrjeve nga fusha e agrobiznesit”, theksoi ministri Hamza.

Ambasadori Christian Held, u shpreh se kjo ndihmesë ndaj Kosovës ka qëllim afrimin me integrimin euroatlantikë.

Ai tha se për rritje të qëndrueshme ekonomike sektori financiar është shtylla më e rëndësishme, prandaj përmes Fondit për Garantimin e Kredive janë lehtësuar qasjet financiare për agrobizneset.

“Ky fond ka lehtësuar qasjen në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që janë praktikisht shtylla e zhvillimit ekonomik në Kosovë.  Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme po ashtu janë shtyllë e zhvillimit edhe në Gjermani. Ky fond ka krijuar mirëbesim dhe gjithashtu i ka vendosur parakushtet e domosdoshme në mënyrë që institucionet financiare tu japin para ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, tha ambasadori gjerman.

Sipas tij, donatorët e rinj kanë shprehur interesimin që të kontribuojnë në Fondin për Garantimin e Kredive me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës dhe një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë./KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.