FOKUS – Kina dhe SHBA rifillojnë negociatat në mes të luftës tregtare

UASHINGTON, 16 gusht /ATSH-AFP/ – Në mes të një lufte tregtare, Pekini dhe Uashingtoni do të rifillojnë negociatat e tyre, që kanë mbetur pezull prej shumë javësh, ku Kina do të dërgojë një përgjegjës të lartë në SHBA deri në fund të gushtit.

Dy fuqitë kanë vendosur miliarda dollarë taksa doganore mbi produktet e njëri-tjetrit që prej takimit të fundit të nivelit të lartë në qershor, duke rritur frikën për dëmtimin e ekonomisë botërore.

”Por, dialogu do të rifillojë, pasi zëvendësministri kinez i Tregtisë, Wang Shouwen do të takohet për disa ditë me nënsekretarin amerikan të Thesarit të ngarkuar me çështjet ndërkombëtare, David Malpass, me ftesë të SHBA-së”, njoftoi sot Ministria kineze e Tregtisë.

“Pala kineze rikonfirmoi se ajo i kundërvihet njëanshmërisë dhe praktikave proteksioniste tregtare dhe se ajo nuk pranon asnjë masë të njëanshme të shtrëngimit tregtare”, thekson ministria, duke iu referuar SHBA-së, që kishte rifilluar armiqësitë duke imponuar taksa doganore ndaj produkteve kineze.

“Kina e përshëndet dialogun dhe komunikimin mbi bazën e reciprocitetit, të barazisë dhe të integritetit”, vazhdon ajo.

Zëvendëskryeministri kinez, Liu He kishte zhvilliar në maj bisedime në Uashington me sekretarin amerikan të Thesarit, Steven Mnuchin.

Më pas Liu kishte takuar në qershor në Pekin sekretarin amerikan të Tregtisë, Wilbur Ross.

Por, këto takime nuk kishin mundësuar që të binin tensionet./ /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.