Siguria ushqimore- AKU bllokim aktiviteti dhe masa ndaj 9 subjekteve

TIRANË, 15 gusht/ATSH/- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka evidentuar 9 subjekte në qarqet Tiranë, Shkodër, Fier, Korçë dhe Lezhë, të cilat kryenin aktivitetet në kundërshtim të plotë me ligjin e sigurisë ushqimore.

Sipas AKU-së, këto subjekte ushtronin aktivitet me produkte me origjinë shtazore dhe jo shtazore ( prodhim përpunim mishi, minimarket, ëmbëltore, tregtim të produktit peshk).

Ndaj tyre janë marrë masa administrative me gjobë për shkak se nuk plotësonin kushtet higjeno-sanitare, si dhe u mungonte dokumentacioni shoqërues.

Ndërsa dy prej subjekteve me aktivitet përpunim mishi dhe tregtim të produktit peshk  u mor masë e menjëhershme, konfiskim të mallit dhe bllokim aktiviteti.

AKU i bën thirrje operatorëve të biznesit ushqimor që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para, produkte shtazore dhe jo shtazore, duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara me dokumentacion të plotë veterinar e fiskal.

Kjo, sipas AKU-së,  është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre.

AKU inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.

Në këtë periudhë të temperaturave të larta e shtimit të volumit të tregtisë në kuadër të sezonit turistik AKU është në çdo kohë në aksion për identifikimin, kontrollin, evidentimin, dënimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundër ligjshme e të rrezikshme nga subjektet, që neglizhojnë apo shkelin rregullat e sigurisë ushqimore. /k.s/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.