PARAGUAI – Mario Abdo Benitez bën betimin si President i ri i vendit

MONTEVIDEO,  15 gusht /ATSH-DPA/ – Politikani konservator Mario Abdo Benitez bëri sot betimin si Presidenti i ri i Paraguait, duke premtuar përmirësimin e sistemit arsimor të vendit dhe intensifikimin e luftës kundër krimit.

Paraguajanët patën “mundësinë që të vendosin se çfarë lloj vendi duan të ndërtojnë”, deklaroi 46-vjeçari, i cili zëvendëson  Horacio Cartes në postin e Presidentit.

Abdo premtoi se do të punonte për “një transformim të vërtetë të republikës”, si dhe politika zhvillimi të një sistemi arsimor me vlera, që do të përfshijë trajnimin e vazhdueshëm të mësuesve. Ai gjithashtu u zotua për një luftë të fortë kundër krimit të organizuar dhe përpjekje të shtuara për integrimin rajonal.

Në mesin e të ftuarve të nderit ishte edhe Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-ëen, e cila nisi një vizitë zyrtare si pjesë e përpjekjeve për rritjen e mbështetjes diplomatike ndaj vendit të saj në kushtet e izolimit diplomatik nga presioni gjithnjë e në rritje i Kinës.

Tsai u takua me Presidentin e ri të Paraguait, i cili u zotua për forcimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, njoftoi media shtetërore tajvaneze.

Abdo, i biri i sekretarit personal të ish-diktatorit Alfredo Stroessner, fitoi zgjedhjet presidenciale me 46 për qind të votave në muajin prill.

/u.sh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.