ROMË, 15 gusht /ATSH-AFP/ – Kompania menaxhuese e seksionit të autostradës në Gjenovë, që u shemb të martën me një bilanc tragjik 39 të vdekur, theksoi seriozitetin e mbikëqyrjes së urës, duke iu përgjigjur sulmeve të qeverisë italiane.
Drejtimi i Autostradës për Italinë (grupi Atlantia, e kontrolluar me 30% të aksioneve nga familja Benetton theksoi në një komunikatë për shtyp se kjo pjesë e autostradës ishte analizuar në një ritëm tremujor në përputhje me rregullat ligjore, dhe me verifikime shtesë të pajisjeve mjaft të specializuara.
Për më tepër, kompania siguroi se i është referuar organeve të inspektimit të njohura në shkallë botërore për vlerësimin e gjendjes së mbikalimit.
Autostrada për Italinë shtoi se të gjitha këto kontrolle kanë çuar në garancitë e duhura për gjendjen e infrastrukturës. Ato kanë mundësuar gjithashtu identifikimin e ndërhyrjeve të nevojshme të mirëmbajtjes, të miratuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transporteve.
Kryesia e kompanisë theksoi ndër të tjera se strukturat teknike të Autostradës për Italinë po i japin institucioneve kompetente të gjithë mbështetjen e nevojshme për të përcaktuar shkaqet e aksidentit tragjik dhe për vënien në gjendje pune të autostradës sa më të shpejtë të jetë e mundur.
Kompania shprehu dhimbje të thellë për viktimat dhe solidarizim me familjarët e tyre.
Autostrada për Italinë saktësoi në median italiane se investimet e saj në planin e sigurisë, mirëmbajtjes dhe forcimit të rrjetit kanë arritur në më shumë se një miliardë euro gjatë pesë viteve të fundit.
Të mërkurën, ministri i Infrastrukturës dhe Transporteve, Danilo Toninelli u kërkoi drejtuesve të kompanisë së autostradës të jepnin dorëheqjen. Ai njoftoi se ka nisur një procedurë për një revokim të mundshëm të koncesioneve të kësaj kompanie, e cila menaxhon pothuajse gjysmën e 6 000 kilometra autostradë të vendit.
/v.b/