Elbasan/ Lufta ndaj paligjshmërisë, 55 persona të proceduar në një javë

TIRANË, 14 gusht/ATSH-A.Fortuzi/ – Policia e Elbasanit vijon luftën e saj ndaj paligjshmërisë. Në një javë, kjo drejtori policie ka proceduar penalisht 55 shtetas.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, kanë vijuar punën për parandalimin e paligjshmërisë, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë. Sipas policisë së Elbasanit, 55 shtetas janë proceduar penalisht nga të cilët: 16 të arrestuar, 25 janë procedurë penalisht në gjendje të lirë, 1 shtetas është ndaluar, si dhe 13 shtetas janë shpallur në kërkim për vepra penale të ndryshme.

Në drejtim të masave për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndëshkimin ligjor të atyre që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, gjatë një jave nga Policia Rrugore janë vendosur 934 masa administrative, si dhe janë arrestuar 9 shtetas, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, si dhe janë kontrolluar 455 automjete. Në përmbushje të prioriteteve dhe në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Masave “Për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë”, në të gjithë qarkun kanë funksionuar pika kontrolli statike e të lëvizshme, ku gjatë kontrolleve janë shoqëruar për verifikim në Komisariatet e Policisë, 111 shtetas, si dhe janë arrestuar në flagrancë 7 shtetas për vepra të ndryshme penale.

Në zbatim të plan-masave, për kontrollin e territorit me qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, nga strukturat Policore të Komisariateve të Policisë Elbasan, Librazhd, Cërrik, Peqin dhe Gramsh janë ushtruar kontrollet në të gjithë territorin e Qarkut Elbasan. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.