Tërmeti në Dibër, Shehu: Situata është nën kontroll, po verifikohen dëmet

TIRANË,13 gusht/ATSH- I. Vata/ – “Situata pas tërmetit në qarkun e Dibrës është nën kontroll, 18 grupet e punës në katër bashkitë e qarkut po verifikojnë dëmet”,  deklaroi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu.

Prefekti Shehu, theksoi se janë ngritur 18 grupe punë në të katër Bashkitë e qarkut Dibër, pasi dje u konstatua se dhe Bashkia Peshkopi është prekur nga tërmeti në zonën e Qafë-Muarrës.

“Të gjitha Bashkitë po operojnë me grupet e punës për të verifikuar dëmet. Deri më tani nuk konstatohen dëme të mëdha, pasi vetëm një shtëpi e pa banuar konstatohet e rrënuar, të tjerat kanë pasur plasaritje”, tha Prefekti.

Më tej, Shehu shtoi se kemi ndarë 8 çadra për familjet që kanë kërkuar ndihmë. “Nga të dhënat që disponojmë janë konstatuara se 178 shtëpi të dëmtuara nga tërmet, ku numri më i madh i shtëpive të dëmtuar i përket Bashkisë së Matit”, tha prefekti.

Po ashtu, Shehu shtoi se “grupet e punës prej dy ditësh vazhdojnë kontrollin në terren. Institucioni i Prefekturës, Emergjencat Civile, Bashkitë e qarkut Dibër janë të angazhuar për të përballuar me sukses situatën”.

Në fund, prefekti Shehu dhe se nuk ka vend për panik, ndonëse ka patur lëkundje te vogla termet, pasi situata tashme po normalizohet. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.