TEHERAN – Agjencia Atomike e Iranit kërkon që vendi të qëndrojë në marrëveshjen bërthamore

TEHERAN, 13 gusht /ATSH-DPA/ – Organizata e Energjisë Atomike të Iranit (AEOI) kërkon që Teherani të qëndrojë në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 të arritur me fuqitë botërore, në vend që të dalë nga ajo sikurse bëri SHBA-ja këtë vit.

“Ndonëse SHBA-ja u largua në mënyrë të njëanshme, që kishte premtuar heqje të sanksioneve kundër Teheranit në këmbim të vendosjes së limiteve mbi kapacitetet e tij bërthamore, Bashkimi Europian është vendosur si politikisht edhe ekonomikisht në krahë të Iranit”, deklaroi sot zëdhënësi i AEOI-së, Behrouz Kamalvandi.

“Nëse Irani largohet nga kjo marrëveshje, ai do ta humbasë këtë mbështetje”, paralajmëroi ai.

“Për më tepër do të ishte më mirë për ne që të qëndronim në marrëveshjen bërthamore se sa të mos qëndronim”, tha Kamalvandi për agjencinë iraniane të lajmeve ISNA.

Marrëveshja u vu në dyshim kur presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi në maj se SHBA-ja do të tërhiqej, duke sjellë edhe rivendosjen e disa sanksioneve ekonomike. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.