AKU kontrolle për ushqimet e skaduara në Vlorë, Berat dhe Gjirokastër

TIRANË, 13 gusht/ATSH/- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka shtuar vëmendjen në marketet e zonave rurale duke bërë të mundur ndalimin e tregtimit të ushqimeve të skaduara dhe duke garantuar tek konsumatori sigurinë ushqimore.

Konkretisht, DRAKU Gjirokastër dhe Berat kanë zgjeruar më tej kontrollin e të gjitha supermarketeve dhe dyqaneve që tregtojnë produkte ushqimore të skaduara në zonat rurale të këtyre qarqeve.

Trupa inspektuese e AKU-së ka evidentuar në fshatin Memaliaj të Përmetit një subjekt me aktivitet “minimarket”, i cili u kap në flagrancë duke tregtuar produkte të skaduara si: birra, reçel, kos, salcë kosi etj.

Ndërsa në fshatin Duhanas të Beratit u konstatuan produktet: sallam, mish pule, salsiçe, etj., me afat skadence të përfunduar. Ndaj dy subjekteve është marrë masë administrative me gjobë.

Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në këtë periudhë të temperaturave të larta e shtimit të volumit të tregtisë në kuadër të sezonit turistik, është në çdo kohë në aksion për identifikimin, kontrollin, evidentimin, dënimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundërligjshme e të rrezikshme nga subjektet, që neglizhojnë apo shkelin rregullat e sigurisë ushqimore.

Për këtë arsye AKU është në vazhdimësi të aksionit, atë të kontrollit në furgona që furnizojnë lokalet dhe marketet në të gjithë vendin. Konkretisht, trupa inspektuese e DRAKU, Vlorë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka ndaluar një furgon i cili shpërndante 100 kg midhje pa kushte frigoriferike dhe pa asnjë dokumentacion shoqërues.

Ndaj shtetasit Kristo Veizi u mor masë administrative gjobë, si dhe asgjësim i menjëhershëm i produktit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se këto kontrolle do të vazhdojnë të jenë intensive për të mos lejuar askënd të cenojë sigurinë dhe cilësinë e produkteve në vendin tonë.

Gjithashtu inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast therjeje apo tregtimi jashtë standardeve, apo çdo shkelje të dyshuar të standardeve të Sigurisë Ushqimore, për të parandaluar çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected], si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”. Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët./k.s/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.