Agjencia Telegrafike Shqiptare

Vendet e BE-së, partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Vendet e Bashkimit Europian dhe veçanërisht Italia mbeten partnerët kryesorë tregtarë të vendit tonë.

Raporti tremujor i politikës monetare të BSH-së, evidenton se këto vende mbeten partnerët kryesorë tregtarë si në terma të eksporteve, ashtu edhe në terma të importeve.

Rritja e eksporteve të lëndës djegëse dhe energjisë elektrike ka ndikuar po ashtu në rritjen e peshës së partnerëve të tillë si Spanja, Serbia dhe Zvicra.

Të dhënat e tremujorit të dytë përfshijnë vetëm statistikat e eksporteve dhe importeve të mallrave për këtë periudhë.

Defiçiti tregtar në mallra u ngushtua me rreth 12.8% në terma vjetorë, ndikuar nga rritja
e shpejtë e eksporteve. Nga ana tjetër, rritja e importeve ka qenë e ulët.

Eksporti i mallrave në vlerë u zgjerua me rreth 17.8% në nivel vjetor, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018, një normë kjo e ngjashme me tremujorin e mëparshëm./m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version