Rreth 10 milionë euro për stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë

PRISHTINË, 9 gusht/ATSH/- Në stadiumin e Mitrovicës do të investohen rreth 10 milionë euro, ku do të ndërrohet e gjithë fasada e jashtme dhe do të modernizohet infrastruktura e brendshme e tij.

Kjo u bë e ditur sot gjatë një vizite në këtë stadium të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe ministrit të Financave, Bedri Hamza, të cilët panë nga afër situatën e stadiumit.

Ata ranë dakord që kjo arenë sportive të shndërrohet në stadium të kategorisë së katërt sipas standardeve të UEFA-së.

“Në vitin 2019 stadiumi ‘Adem Jashari’ do të jetë i gatshëm dhe të kthehet në kategorinë e katërt dhe do të jetë ndër stadiumet më të bukura edhe për shkak të kapaciteteve që ka”, theksoi Gashi.

Sipas tij, MKRS-ja është në procedura që edhe stadiumin në Mitrovicë ta shndërrojnë në kategorinë e katërt.

“Jemi në procedura që ta shndërrojmë stadiumin në Mitrovicë në të kategorisë së katërt në mënyrë që përfaqësimi i Kosovës të ketë mundësi t’i zhvillojë ndeshjet edhe në këtë stadium”, nënvizoi ministri.

Ai paralajmëroi se do të ketë investime të reja e të mëdha në stadiumin në Mitrovicë dhe Kosova do t’i ketë dy stadiume të kategorisë së katërt.

“Dalëngadalë po i plotësojmë të gjitha kërkesat dhe kriteret e UEFA-së që Kosova përfundimisht të gjitha ndeshjet t’i zhvillojë në Kosovë pa pasur nevojë t’i shfrytëzojë stadiumet e shteteve përreth”, tha Gashi.

Kryetari i Kuvendit deklaroi se “Mitrovica, sporti dhe ekonomia janë interesa strategjike të vendit tonë. Vizitat që po i realizojmë ditëve të fundit tregojnë për një përkushtim të qartë për modernizimin e sportit në vendin tonë”.

“Në bazë të asaj që kam biseduar me ministrin e sportit dhe atë të financave, në stadiumin e Mitrovicës do të investohen rreth 10 milionë euro, ku do t’i ndërrohet e gjithë fasada e jashtme dhe do të modernizohet infrastruktura e brendshme e këtij stadiumi”, theksoi Veseli.

Ndërsa, ministri i Financave, Bedri Hamza deklaroi se “qeveria e Republikës së Kosovës përveç se do të sigurojë financim të qëndrueshëm për objektet sportive do të vazhdohet me financimin e projekteve të fuqishme në Mitrovicë”. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.