PD për taksën e sheshtë: Stimulon ekonominë dhe rrit të ardhurat

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ “Për vitin aktual mungojnë 75 milionë USD në arkën e shtetit si pasojë e mosmbledhjes së taksave por edhe mbylljes së bizneseve

Kështu deklaroi sot nënkryetarja e komisionit të Ekonomisë, deputetja e PD-së Jorida Tabaku.

“Kryeministri Rama ka firmosur Aktin Normativ si arnimin e radhës për ekonominë e lënguar të vendit që është futur në një rrugë të vështirë dhe pa vizion”, tha Tabaku.

Sipas saj “borxhi publik e rendit Shqipërinë ndër 15 vendet me borxhin më të lartë, ndërsa kontratat koncesionare e kanë rritur borxhin publik në 83%”.

“Firma e pamëshirshme e Ramës mbi më të varfrit, shkurton fondet për të përndjekurit, të papunët dhe pagat. Sopata e Ramës mbi fondet e investimeve shkurton fondet për rrugët, hekurudhën, menaxhimin e mbetjeve, arsimin dhe rininë, shëndetësinë dhe asistencën”, theksoi ajo.

E vetmja rrugë për të rikthyer edhe një herë ekonominë në binarët e duhura ekonomike, sipas Tabakut, është një taksë e sheshtë që do të stimulojë ekonominë dhe do jetë promotori i rritjes së të ardhurave./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.