Java Botërore e Ushqyerjes me Gji

TIRANË, 8 gusht/ATSH/-Java Botërore e Ushqyerjes me Gji është një aksion madhor i cili zhvillohet çdo vit në rang botëror gjatë muajit Gusht.

Kjo javë organizohet nga WABA (Aleanca Botërore për Veprim për Ushqyerjen me Gji) me mbështetjen e fuqishme të UNICEF dhe OBSH-së. Çdo vit përzgjidhet një temë e veçantë mbi të cilën organizohet Java Botërore e Ushqyerjes me Gji, dhe jepen rekomandimet për aktivitete të ndryshme në të gjitha vendet e botës që e promovojnё këtë javë.

Qeveritë dhe Kombet e Bashkuara (KB) në vitin 1990 vendosën Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit (OZhM) për të luftuar varfërinë dhe për të nxitur zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm në mënyrë të plotë deri në vitin 2015. Ky vit është viti i fundit për të vlerësuar progresin në arritjen e objektivave të mijëvjeçarit, ndaj dhe tema e këtij viti për Javën Botërore të Ushqyerjes me Gji është në përgjigje të këtyre objektivave të mijëvjeçarit.

Mesazhi për javën e ushqyerjes me gji këtë vit është: “ Ushqyerja me gji – një çelёs pёr zhvillimin e qёndrueshёm”.

Ushqyerja me gji është mënyrë e pazëvendësueshme e sigurimit të një ushqimi ideal për  mirërritjen dhe zhvillimin e fëmijës, dhe  duhet të jetë domosdoshmërisht ushqimi i zgjedhur për fëmijën në muajt e parë të jetës.

 Sipas studimit të fundit kombëtar demografik dhe shëndetësor shqiptar ( ADHS viti 2008-09) thuhet se vetëm 43 % e fëmijëve të lindur në 5 vitet e fundit para studimit, dhe që kishin marrë ushqim gjiri, kishin filluar ushqyerjen me gji brenda një ore nga lindja. Ndërkaq, 88% e fëmijëve nën moshën pesë vjeç kishin filluar ushqimin me gji brenda një dite, 19 % e fëmijëve të ushqyer me gji kishin marrë një ushqim para qumështit të gjirit.

Nga studimi rezulton që, fëmijët ushqehen me gji për një periudhë mesatare prej 14,6 muaj ndërsa vetëm 39% e fëmijëve nën moshën 6 muaj janë ushqyer ekskluzivisht me gji.

Një e dhënë interesante lidhet edhe me numrin e vdekjeve, ku rreth 30 % e vdekjeve tek fëmijët nën 5 vjeç në Shqipëri lidhet me kequshqyerjen, dhe 18 % prej tyre mund t’i atribuohen ushqyerjes nënoptimale me gji. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.