Shqipëria me sistem të formimit profesional të nivelit të lartë, 5 milion euro financim

TIRANË, 7 gusht/ATSH/-Studentët që do të zgjedhin arsimin profesional tashmë do të kenë një formim më të plotë për profilin e tyre, me standarde europiane dhe do të favorizohen për punësimin.

Këto janë pritshmëritë nga marrëveshja e nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe Cassa Depositi e Prestiti, lidhur me financimin e programit të arsimit dhe formimit profesional nëpërmjet inovacionit. Këshilli i ministrave ka miratuar marrëveshjen për marrjen e huas prej 5 milion eurosh, me një kohëzgjatje prej 22 vitesh.

Marrëveshje financiare prej 5 milionë eurosh me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave të Republikës së Shqipërisë për të mbështetur programin qeveritar, do të mbështesë trajnim profesional për të rinjtë dhe të rriturit, për të rritur furnizimin e tregut të punës përmes një serie politikash aktive. Fokusi i Programit ka të bëjë me zhvillimin e qendrave multi-funksionale në gjendje të ofrojnë arsim, përditësim dhe praktikë profesionale për njerëzit aktivë në tregun e punës.

Nisma e nënshkruar në Shqipëri, në mënyrë të veçantë, do të krijojë një qendër në sektorët e industrisë agro-ushqimore dhe transformimin bujqësor duke rritur, në të njëjtën kohë, hapësirat ekzistuese multi-funksionale. Qëllimi përfundimtar është lehtësimi në përputhjen e kërkesës dhe ofertës së punës, në përputhje me standardet europiane për trajnim profesional. Financimi do të shkojë për përmirësimin e infrastrukturës, laboratorë, pajisje dhe asistencë teknike.

Po kështu, pritshmëritë nga kjo marrëveshje lidhen me ngritjen e një infrastrukturë të përshtatshme, përpunimin dhe transmetimin e  kurrikulave arsimore të studentëve në përputhje me standardet e bashkimit Europian si edhe krijimi i një marrëdhënie të qëndrueshme të shkollave me tregun e punës.

Në faqen zyrtare të Cassa Depositi e Prestiti thuhet se Shqipëria do të mundësojë krijimin e një sistemi të formimit profesional të nivelit të lartë dhe rritjen e ofertës për punësim.

Edukimi cilësor, rritja ekonomike dhe puna e denjë, janë respektivisht numri 4 dhe numri 8 i  objektivave të OKB-së dhe Shqipëria po përpiqet të përmbushë këtë objektiv. /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.