FOKUS – ”Huawei”, ”ujku” kinez që rrëzoi nga froni ‘’Apple”

SHANGAI, 7 gusht /ATSH-AFP/ – Ren Zhengfei, themeluesi i gjigandit kinez në fushën e telekomunikacionit ”Huawei” krahasoi grupin me një ”ujk” luftarak që nuk e lë kurrë prenë e tij. Thuajse i përjashtuar nga SHBA-ja, ”Huawei” po ul nga froni ”Apple” si numri dy në botë i smartfonëve dhe po sfidon hapur liderin planetar ”Samsung”.

Që nga viti 2010, kaliforniani ”Apple” dhe koreano-jugori ”Samsung” janë në konkurrencë të hapur për dy vendet e para në podiumin e tregtarëve më të mirë të smartfonëve në shkallë botërore.

Por ”dy gjigandët” u lëkundën në tremujorin e dytë nga ”Huawei” kinezi i cili ka shitur 54,2 milionë telefona (15% të tregut botëror), sipas kabinetit IDC, duke parakaluar të 41,3 milionë iPhonët e shitur nga ”Apple”. Samsumg vijon të qëndrojë në krye (71,5 milionë çopë).

Thuajse me një akses të privuar nga tregu kyç amerikan, ”Huawei” propozon smartfonë premium në Europë, duke përshtatur gamën e tij për tregjet në zhvillim.

”Ka një përmirësim të dukshëm të imazhit dhe njohjes së markës ”Huawei”. Kjo firmë bën diferencë dhe i rendit produktet e saj mbi gjithçka për spektrin e gamës dhe çmimeve’’, shprehet Tarun Pathak, ekspert i kabinetit ”Counterpoint”.

Ish-inxhinieri i ushtrisë kineze, Ren, 73 vjeç sot themeloi ”Huawei” në vitin 1987 me disa mijëra dollarë, duke u fokusuar në teknologjitë e rrjetit të komunikimit, derisa u shndërrua në një lider botëror të pajisjeve, pioneri i 5G.

Kompania u pajis me një degë të celularëve në vitin 2003, duke korrur një sukses të bujshëm fillimisht në Kinë më pas në të gjithë Azinë./

/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.