Prokurori Arben Dollapaj kalon Vetingun

TIRANË, 6 Gusht/ATSH-A.Fortuzi/- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë, Prokurorin e Prokurorisë së Apelit të Rrethit Shkodër, Arben Dollapaj.

Trupa e gjyqtarëve të KPK-së, pasi ka hetuar dosjen dhe vetë-deklarimin e  bërë nga prokurori Arben Dollapaj dhe ka shqyrtuar të tri shtyllat e verifikimit, pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, e ka konfirmuar atë në detyrë.

Prokurori Arben Dollapaj ka një karrierë të gjatë në organin e akuzës në Shqipëri.

Ai u përball me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, si pjesë e listës prioritare për shkak të funksionit si prokuror i Apelit në Shkodër dhe kandidimit të tij për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Hetimi administrativ për prokurorin Dollapaj është kryer nga trupi gjykues i kryesuar nga Lulzim Hamitaj dhe me anëtarë Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici. Arben Dollapaj e ka filluar karrierën në vitin 1993. Në vitin 2003, ai ka qenë prokuror në Durrës, ndërsa në vitet 2004-2008 ka shërbyer si prokuror i Prokurorisë së Rrethit Tiranë.

Në vitet 2008-2016, Dollapaj ka shërbyer në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ka mbajtur funksionet e drejtorit të Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore si dhe drejtorit të Drejtorisë Gjyqësore dhe Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Në vitin 2016, Dollapaj u transferua në Prokurorinë e Apelit të Shkodrës. Paralelisht me detyrën si prokuror, Arben Dollapaj ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Prokurorisë si dhe ekspert trajnues në Shkollën e Magjistraturës. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.