Prioritet, përfshirja e diasporës shqiptare në projekte në Shqipëri

TIRANË, 6 gusht/ATSH/  Rivitalizimi dhe përfshirja e diasporës shqiptare në marrëdhënien me shtetin amë mbeten në fokus të qeverisë shqiptare.

Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane AANO zhvilloi punimet e Konventës vjetore, me rastin e 72-vjetorit të themelimit të saj.

Aktivitetet u zhvilluan në Uashington DC me një axhendë intensive gjjthëpërfshirëse.

Ambasadorja Floreta Luli-Faber mori pjesë si e ftuara e nderit në mbrëmjen Gala në kuadër të këtyre aktiviteteve.

Ajo përshëndeti të pranishmit dhe u shpreh e kënaqur që fokusi i kësaj Konvente ishte Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut.

Në vijim, ambasadorja shprehu mirënjohjen për punën e çmuar të tyre dhe theksoi që secili mund të bënte një diferencë në forcimin e marrëdhënies së tyre përmes projekteve dhe iniciativave të ndryshme.

Konventa do të zhvillojë punimet gjatë tre ditëve, me vizita në një numër institucionesh si Shtëpia e Bardhë, Pentagoni, Molli i Muzeumeve, ku ndër të tjera parashikohej edhe vizita në Ambasadën e RSH-së, me qëllim diskutimin e mundësive dhe konkretizimin e bashkëpunimit në të ardhmen me aktivitete të përbashkëta./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.