Fshati Arrëz mirëpret vizitorët në festë mes traditës, kultit dhe argëtimit

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ – Festa e fshatit vjen çdo datë 20 gusht në vendin e quajtur “Dobergore”, në fshatin Arrëz, në Devoll.
Kjo festë organizohet çdo vit që prej vitit 2001 në pyllin e shenjtë të Dobergorës, nga një grup nga fshati Arrëz me banim në Tiranë. Festa zhvillohet midis pyllit me lisa shekullore, në një godinë të ndërtuar që në vitin 2013 nga kontributi i banorëve.
Festa nuk ka kuptim fetar, por është një takim i të gjithë banorëve të fshatit Arrëz, për të nxjerrë mallin me njëri-tjetrin. Kjo festë sot ka marr përmasat e një feste pagane, ku marrin pjesë banorë të trevës së Devollit dhe fushës së Korçës dhe drejtuesit e institucioneve vendore të qarkut Korçë.
Në 20 gusht rreth orës 11.00 qytetarët do dëfrehen nën ritmet e këngëtarëve pjesëmarrës gjithashtu përgjatë pasdites nën shoqërinë e njëri-tjetrit në freskinë e pyllit do shijojnë dhe gatime tradicionale si mish i pjekur ne hell, si dhe rakinë e kumbullës që është specialitet i zonës.
Kjo festë ka bërë të mundur që fshati Arrëz është futur në projektin e qeverisë shqiptare të “100 fshatrave”, pasi kjo zonë ka një vazhdimësi të resurseve turistike, të zonës pyjore, të livadheve dhe burimeve të ftohta, të vargmaleve të Gramozit, bashkë me fshatrat e tjera të këtij projekti, sic janë: Boboshtica, Dardha, dhe Nikolica.
Këto fshatra kane dhe festat e tyre në këto ditë si, Boboshtica në datë 15 gusht (festë fetare), Dardha në 16 gusht (festë fetare), Nikolica në datë 18 Gusht (festë e fshatit).
Përveç bukurive mahnitëse natyrore, freskisë, paqes dhe begatisë, ky vend është i njohur edhe si vend i shenjtë dhe që përmban disa legjenda që ja vlen të zbulohen nëpërmjet pjesëmarrjes në këtë festë të traditës shqiptare. /a.a/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.