Baza në Kuçovë, Balla: Vendim historik i ardhur pas samitit të NATO-s

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ – Një vendim historik e ka cilësuar kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla vendimin për ndërtimin e bazës ajrore në qytetin e Kuçovës.

Sipas kreut të Grupit të PS, Balla ky vendim historik vjen menjëherë pas Samitit të NATO-s disa javë më parë duke theksuar se “ Presidenti Trump vlerësoi në mënyrë të veçantë Kryeministrin Rama për kuptimin dhe sinkronizimin me politikën amerikane të mbrojtjes.

Statusi i plotë

“NATO merr vendimin historik për Shqipërinë, duke e shndërruar bazën e Kuçovës në bazë ajrore mbështetëse të NATO-s për furnizim ajror, mbështetjen logjistike, mbështetjen e policimin ajror si dhe për trajnime dhe stërvitje të Aleancës së Atlantikut Verior.

Duke e vlerësuar Shqipërinë dhe Qeverinë e saj si partnerë të besueshëm Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Në njoftimin zyrtar konfirmohet se NATO do të investojë mbi 50 milion euro, vetëm për fazën e parë të projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës, duke hapur një histori të re për zhvillimin ekonomik e social të gjithë zonës dhe rajonit ku planifikohet ndërtimi i kësaj baze të re ajrore.

Ky vendim historik i Këshillit të Atlantikut vjen menjëherë pas samitit të NATO-s në Bruksel 3 javë më parë, ku Presidenti Trump vlerësoi në mënyrë të veçantë Kryeministrin Rama për kuptimin dhe sinkronizimin me politikën amerikane të mbrojtjes.

Uroj që edhe opozita të jetë zgjuar dhe ta përshëndesë këtë vendim historik për Shqipërinë.

/e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.