Qeveria është angazhuar për të garantuar të drejtën e votës për emigrantët

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10156007180781523/

TIRANË, 3 Gusht /ATSH/ – Për votimin e emigrantëve mund të kërkohen ndryshime në Kushtetutë.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, në një intervistë për ERTV mbi angazhimin real të qeverisë për të garantuar të drejtën e votës së emigrantëve shqiptarë, nga vendi ku ata ndodhen, ndërsa Kuvendi ka miratuar tashmë rezolutën e parë për diasporën, ku adresohet zgjidhja e çështjes së votimit të emigrantëve, ka theksuar se “ajo që kam frikë është se duhet të prekim edhe Kushtetutën për votimin e emigrantëve, pasi një nga modelet e përshtatshme që do të garantojë pjesëmarrjen permanente të diasporës do të kërkojë ndryshimin e formulës së zgjedhjes së deputeteve në Kuvend”.

“Për fat të keq jemi treguar shumë detajit në ndryshimet Kushtetuese të vitit 2009, të cilat e fokusuan për arsye të mosbesimit të palëve, çdo detaj të sistemit zgjedhor në Kushtetutë”, tha Majko.

“Rezoluta është një dokument fundor, i cili profilizoi përfundimisht politikën zyrtare të shtetit shqiptar karshi diasporës. Kjo erdhi edhe si refleksion i miratimit, në një periudhë ndoshta nga më të shkurtrat të parlamentit shqiptar të tre ligjeve, Ligjit për Diasporën, Ligjit për Agjencinë Kombëtare të Diasporës dhe Ligjit për Fondin e Zhvillimit të Diasporës. Brenda këtij trekëndëshi janë duke u përgatitur një varg aktesh”, tha Majko.

“Sa i përket rezolutës, pavarësisht se opozita nuk ishte prezente në votim, ajo ka qenë prezente në diskutimin që është bërë në Komision. Fillimisht kanë qenë përfaqësuesit e LSI-së dhe mbledhjen e fundit kur është miratuar rezoluta kanë qenë edhe përfaqësues të PD-së. Sa i përket pjesëmarrjes në seancë, ky është një vendim politik që nuk ka të bëjë me rezolutën”, u shpreh ministri Majko.

Përsa i përket çështjes së votimit, ministri Majko theksoi se, “votimi është një moment i rëndësishëm, por që unë në përgjithësi kam qenë i rezervuar për të dhënë një formulë fundore për këtë çështje. Dua të theksoj që rezoluta e nënvizon dhe i kërkon Komisionit të reformës zgjedhore që sa më shpejt të marrë një vendim për këtë çështje pasi i takon këtij Komisionit që të vendosë dhe unë i jam shmangur debateve të natyrave të tilla në publik pasi mendoj që kolegët e mi qofshin të majtë qofshin të djathtë në esencë janë shprehur pro votës së shtetasve tanë jashtë vendit. Kjo ka shumë rëndësi. Ajo që ne po diskutojmë aktualisht është mënyra sesi do ta realizojmë atë”.

/gj.mima//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.