MEPJ dënon thirrjet raciste gjatë ceremonisë së festimit të kryengritjes së Ilindenit

TIRANË, 3 Gusht /ATSH/ – Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme shpreh keqardhjen dhe dënon gjuhën e urrejtjes dhe thirrjet raciste antishqiptare të hedhura dje gjatë ceremonisë së festimit të kryengritjes së Ilindenit në Meçkin Kamen në Krushevë.

Në një deklaratë për shtyp, MEPJ thekson se, “besojmë se këto janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme dhe shpresojmë që incidente të tilla që ndjellin urrejtje ndëretnike të mbeten të izoluara. MEPJ i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të hetojnë nxitësit e dhunës dhe vendosjen e tyre para drejtësisë”.

“Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë dhe do të jenë miq të përhershëm të Maqedonisë. Ne besojmë në vlerat e bashkëjetesës, në harmoninë dhe bashkëpunimin midis vendeve e qytetarëve tanë”, thuhet në deklaratën e MEPJ.

/gj.mima//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.