Fuqizimi i diasporës, qeveria vijon punën për zbatimin e strategjisë së re

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ – Shteti shqiptar po vijon punën për zbatimin e strategjisë së re për fuqizimin e diasporës dhe përfshirjen e saj në zhvillimin e vendit.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko në një intervistë për ERTV u shpreh se, Kosova dhe Shqipëria kanë marrë përsipër të ndajnë me njëra tjetrën shpenzimet për qendrat e kulturës që do të ngrihen në diasporë dhe kanë gjithashtu një plan veprimi të përbashkët në këtë fushë.

Duke u ndalur të remitancat, Majko tha se ato përfaqësojnë të ardhurat më të mëdha për ekonominë e vendit e kësisoj, ligji i miratuar për fondin e zhvillimit të diasporës do të ndihmojë në ngritjen e dhomës së biznesit të diasporës, e më tutje për Bankën e Diasporës, çka do të mundësonte formalizimin e remitancave.

Majko njoftoi se në çdo bashki të vendit do të ngrihen zyrat e diasporës dhe të emigracionit ndërsa qeveria po punon për krijimin e një rrjeti të individëve nga diaspora që duan të kontribuojnë me idetë dhe eksperiencën e tyre në zhvillimin e vendit.

/gj.mima//e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.