Ndahet nga jeta tenori virtuoz Gaqo Çako

TIRANË,2 gusht /ATSH/ – Mbrëmjen e djeshme është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare tenori virtuoz, Gaqo Çako.

Pas lajmit të vdekjes së tij kanë qenë të shumta mesazhet e ngushëllimita nga politikanë dhe artistë.

Kryeministrit Edi Rama shprehet se ,”Gaqo Çako nuk jeton më dhe bashkë me të shuhet një tjetër jetë e përkushtuar ndaj artit, duke lënë pas një emër që i mbetet historisë së të kënduarit shqip”.

Meta: Gaqo Çako, gjurmë të pashlyeshme në interpretimet e operave në skenat shqiptare e botërore

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka shprehur trishtimin dhe keqardhjen për ndarjen nga jeta të tenorit dhe këngëtarit lirik të mirënjohur shqiptar, Gaqo Çako.

Presidenti Meta u ka shprehur ngushëllimet e sinqerta familjarëve, miqve dhe të afërmve të mjeshtrit të skenës lirike, tenorit dhe intepretuesit të këngës lirike shqiptare, i cili për tri dekada mori pjesë dhe interpretoi mjeshtërisht, duke fituar e duke u nderuar me çmime në skenat e Festivaleve të Këngës së Radio Televizionit Publik Shqiptar.

“Nderi i Kombit tonë, mjeshtri i përsosur Gaqo Çako ka lënë gjurmë të pashlyeshme në interpretimet e operave në skenat shqiptare e botërore si dhe ato të këngëve të muzikës së lehtë shqiptare, me ndarjen e tij nga jeta po le një boshllëk të madh artistik e shpirtëror ne trashëgiminë tonë artistike dhe në mes të bashkësisë së artistëve, kolegëve dhe të artëdashësve shqiptarë, kudo ku ndodhen. Në këto çaste hidhërimi të pamatë, gjendem shpirtërisht pranë familjarëve, të afërmve dhe kolegëve e bashkëpunëtorëve të të ndjerit Gaqo Çako! I paharruar qoftë kujtimi dhe vepra e tij artistike dhe iu prehtë shpirti në paqe!”, ka theksuar Presidenti Meta në mesazhin e ngushëllimit për ndarjen nga jeta të tenorit të mirënjohur shqiptar, Gaqo Çako.

Ruçi: Gaqo Çako, një bilbil i Shqipërisë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të tenorit Gaqo Çako.

“Na iku Gaqo Çako, një bilbil i Shqipërisë”, shkruan Ruçi në mesazhin e ngushëllimit, duke shtuar se, “Gaqo Çako, Artist i Popullit, me këngët për popullin”

“Gaqo Çako ishte kurorë dafine e këngës shqiptare. Këngët e Gaqo Çakos na e bënë Shqipërinë më të bukur, më të dashur”, thekson Ruçi në mesazhin e ngushëllimit.

Homazhet për ‘Nderin e Kombit’ do të zhvillohen gjatë ditës së sotme në orën 11:00 deri në 12:00 në hollin e Muzeut Kombëtar, ku figura e shquar pritet të nderohet nga personalitete të shquara të artit dhe nga qytetarë të thjeshtë, dashamirë të artit të tij.

Mjeshtri i madh u shua mbrëmjen e djeshme në shtëpinë e tij në Tiranë, ku jetonte së bashku me bashkëshorten, artisten Luiza Çako. Ai është babai i kantautorit të njohur Pirro Çako.

Gaqo Çako lindi më 24 janar 1935. Fëmijërinë e kaloi në Korçë, aty ku serenatat nuk reshtën asnjëherë së kënduari. Më pas u vendos në Kuçovë, ku dhe spikati nëpër aktivitetet në shtëpinë e kulturës, ku edhe i dhanë të drejtën për studime në Liceun Artistik.  Adoleshencën e kaloi në Tiranë. Në vitet 1957 dhe 1961 studioi në konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Pas kthimit në Shqipëri më 1961 ai u emërua tenor i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, ku këndoi shumë nga rolet e para të repertorit operistik, duke u bërë kështu tenori kryesor për tri dekada me radhë.

I nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, Gaqo Çako ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. “Traviata”, “Bohema”, “Rigoleto”, “Norma”, si dhe operat shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, “Heroina” e Vangjo Novës, “Skënderbeu” i Prenk Jakovës, “Komisari” i Nikolla Zoraqit, “Zgjimi” i Tonin Harapit, “Toka e jonë” e Pjetër Gacit, kanë ngelur në repertorin e muzikës klasike me performancën e mjeshtrit të vokalit Gaqo Çako. Ka shëtitur pothuajse në të gjithë teatrot e botës.

Mjaft i njohur edhe në skenat italiane, ku ai ka mbaruar konservatorin e Santa Cecillias. Ai ka interpretuar veprat më të mira të kompozitorëve botërorë, edhe shqiptarë, por edhe ka kënduar në 28 edicione të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar./a.a/ /gj.mima//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.