HAPËSIRË – NASA paraqet modelet për banesat e para në Mars

UASHINGTON, 2 gusht /ATSH/ – Herët a vonë njeriu do të shkelë në Mars, nuk ka dyshime për këtë, por para se të vijë ky çast do të jenë të shumtë robotët që do të udhëtojnë për në planetin e kuq dhe një prej këtyre do të jetë në gjendje të prodhojë në mënyrë autonome module të banueshme, njofton faqja në internet që i dedikohet botës së teknologjisë “hdblog.it”.

Për të mbledhur projektet dhe idetë më të mira mbi këtë temë, NASA ka shpallur që në vitin 2015 konkursin “3D-Printed Habitat Challenge”, që sapo ka përfunduar duke vlerësuar pesë projekte.

I pari është projekti i paraqitur nga “Zopherus”, një ide që lidhet me një super sondë të lëvizshme, në gjendje të zbresë në Mars dhe të përdorë këmbët e saj për të analizuar terrenin dhe të stampojë me teknologjinë 3D banesa modulare.

Në vend të dytë është projekti, edhe më ambicioz, i realizuar nga njujorkezja “AI.SpaceFactory”, që paraqet një cilindër me shumë kate dhe një sistem kompleks mbrojtjeje nga kushtet ekstreme të planetit.

Në vend të tretë është ekipi “Khan-Yates” me një model pak të ndryshëm që ka njërën anë krejtësisht të mubuluar nga dritare në formë hoje që mundësojnë të hyjë drita. Ndërsa forma gjatoshe mundëson që të ketë një rezistencë më të lartë nga stuhite e shpeshta dhe të fuqishme.

“SEArch+/Apis Cor” ka imagjinuar module pjesërisht të groposur, pra edhe më të qëndrueshme, të ndarë në dy ambiente kryesore.

Fituesi i fundit është ekipi i “Northwestern University”, nga Ilinois, që mendon një sistem të integruar që vendos fillimisht pjesën e brendshme që fryhet dhe një guaskë të jashtme që stampohet me teknologjinë 3D duke përdorur materialet që gjenden në Mars.

Tani fillon faza e dytë e këtij konkursi, ku fituesit do të përpiqen të realizojnë këto projekte në madhësinë një të tretat duke shfrytëzuar teknologjinë e printimit 3D. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.