Gashi takon basketbollistët e Përfaqësueses së Kosovës, fitues të Kampionatit Europian

PRISHTINË, 2 gusht/ATSH/- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti sot në takim Përfaqësuesen e Kosovës së Basketbollit (U18, meshkujt), pas suksesit të arritur në FIBA U18 të Kampionatit Europian, Divicioni C, që u mbajt në Prishtinë, në 22-29 korrik.

Duke i uruar basketbollistët dhe drejtuesit e klubit për suksesin e arritur, Gashi theksoi se “me angazhim dhe vullnet mund të arrihet deri te suksesi siç edhe kanë treguar basketbollistët në radhë të parë, por edhe stafi mbështetës i tyre, trajnerët e të gjithë personat tjerë të angazhuar”.

Gjithashtu, ministri përgëzoi drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës edhe për organizimin e këtij kampionati.

Ministri Gashi kërkoi nga basketbollistët dhe përfaqësuesit e klubit që në përfaqësimet ndërkombëtare të japin maksimumin dhe të prezantojnë Kosovën sa më me dinjitet.

Ai u premtoi mbështetjen e plotë të MKRS-së edhe në të ardhmen. Ndërsa basketbollistët dhe drejtuesit e Federatës e falënderuan Ministrin Gashi për mikpritjen, urimin dhe gatishmërinë e treguar për ta mbështetur basketbollin.

Ata premtuan se në garat ndërkombëtare që do të marrin pjesë do të përfaqësojnë në mënyrën sa më të mirë të mundshme, jo vetëm klubin dhe qytetin e tyre, por edhe Kosovën./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.