Kosovë- Punëtorët e KEDS-it në protestë, kërkojnë rritje page

PRISHTINË, 1 gusht/ATSH/.- Punëtorët e KEDS-it në Mitrovicë protestuan sot për një orë para ndërtesës së kësaj kompanie, duke kërkuar rritje të pagave, kushte më të mira, si dhe nënshkrimin e kontratave kolektive, ndërsa paralajmëruan grevë të përgjithshme dhe kolaps energjetik në mbarë vendin, nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen deri në shtator.

Kryetari i  Sindikatës “Elektrokosova” në Mitrovicë, Abdullah Veseli, bëri të ditur për KosovaPress se vendi do të shkoj në kolaps energjetik, nëse qeveria dhe institucionet nuk ndërhyjnë në menaxhimin e kësaj kompanie për t’i ngritur pagat e punëtorëve.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, tha se “pakënaqësitë e punëtorëve të KEDS-it janë shqetësim për organet komunale dhe qytetarët e Mitrovicës”.

Gjatë ditës së djeshme në Prishtinë Federata  Sindikale e Pavarur “ElektroKosova”,  ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp ku paralajmëruan se nëse nuk përmbushen kërkesat, do të zhvillohen protesta nga shtatori i këtij viti./Kosovapress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.