Konfirmohet në detyrë prokurori i prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besnik Muçi

TIRANË, 1 gusht/ATSH-A.Fortuzi/-Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur konfirmimin në detyrë për prokurorin pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besnik Muçi.

Muçi është edhe kandidat për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe i është nënshtruar vetingut me përparësi, duke u vlerësuar për të tre komponentët. ILDKPKI ka konstatuar se Besnik Muçi ka qenë i saktë në deklaratat e pasurisë, duke mos u gjetur në konflikt interesi.

Por KPK-ja ka kryer një hetim të thelluar dhe ka gjetur se në emër të prokurorit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda rezultojnë pronat si më poshtë: 336 metra katrorë tokë truall në Çërravë të Pogradecit; 2000 metra katrorë tokë po në Çërravë, të përfituar me ligjin 7501; Shtëpi banimi 78 metra katrorë në Tiranë, në lagjen “Ali Demi”; 300 metra katrorë tokë bujqësore në Shkozë.

Po sot Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të japë vendimin për gjyqtarin pranë Gjykatës Administrative Shkalla e Parë Tiranë, Gentian Medja.

 /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.