FOKUS – ZVICËR – Drejtuesi i ardhshëm për të Drejtat e Njeriut të OKB-së duhet të jetë më shumë konsensual ?

GJENEVË, 1 gusht /ATSH-AFP/ – Ai e cilësoi ”racist” dhe ”të tmerrshëm” kryeministrin hungarez, Viktor Orban, e quajti ”të rrezikshëm” presidentin amerikan, Donald Trump dhe i sugjeroi presidentit filipinez, Rodrigo Duterte t’i nënshtrohet një ”ekzaminimi psikiatrik”.

Komisioneri i Lartë aktual i OKB-së për të drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad Al Hussein pranoi se kritikat e tij të ashpra në drejtim të liderëve botërore kanë shuar të gjitha shpresat për një mandat të dytë.

”I kam irrituar, mendoj të gjitha qeveritë gjatë këtij katërvjeçari”, u shpreh kohët e fundit, Zeid, ish-ambasador dhe princ jordanez, për BBC.

Gjatë fjalimit të tij të fundit hapës para Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, qershorin e fundit, ai pranoi se kjo qasje kishte qenë e ashpër për familjen e tij dhe kishte ndikuar në marrëdhëniet me qeverinë e vendit të tij.

Kryekomisioneri i ardhshëm supozohet të marrë funksionet e tij në fillim të shtatorit, por nëse nuk emërohet deri atëherë, zëvendësja e kryekomisionerit, Kate Gilmore do të marrë përsipër këtë detyrë.

Raportuesi special i OKB-së për parandalimin e torturës vendosi të bëjë publike kandidaturën e tij në Twitter, duke ngritur zërin se ishte koha për një qasje ndryshe.

”Komisioneri i ardhshëm duhet të kuptojë se të mbrosh të drejtat e Njeriut nuk nënkupton të sulmosh qeveritë, nuk është një post ku objekti është të dënosh apo të fajësosh, shkruan zvicerani, Nils Melzer, i cili ka punuar gjithashtu si këshilltar ligjor në CICR (Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq).

”Komisioneri i ardhshëm duhet të ketë kapacitetin për të ngritur bazat për arritjen e një konsensusi duke respektuar dallimet, për të thënë të vërtetën pa e dënuar atë’’, theksoi i vetmi kandidat zyrtar.

I intervistuar nga media, Melzer pranoi se nuk renditet në mesin e të preferuarve, por e gjykoi të nevojshme për të nisur një debat për rolin e një komisioneri të lartë.

Disa shtete, si Kina apo Venezuela kanë kritikuar në mënyrë të vazhdueshme gadishmërinë e shfaqur nga Zeid për të nisur në shtetet të përfshira në krizë apo në konflikt, hetime të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, të cilat kërkojnë një ”bashkëpunimin teknik” me OKB-në./

/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.