Rregulla të rrepta në menaxhimin e financave publike

TIRANE, 31 korrik/ATSH/- Ministria e Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj deklaroi sot në një konferencë për shtyp se për të menaxhuar rrisqet dhe kontratat tashmë janë vendosur rregulla të rrepta.

“Tani kemi vendosur rregulla të rrepta të menaxhimit të financave publike që nuk lejojnë kalimin e kostos totale brenda llogarisë së investimeve me shumë se 5% e të ardhurave të vitit të kaluar”, deklaroi Ahmetaj.

Thënë thjeshtë, vijoi ai, tani rregullat e rrepta të financave publike kanë mundësi të menaxhojnë të gjitha rrisqet dhe ministritë e linjës, që janë autoritete kontraktuese brenda vetes kanë njësi të cilat rakordojnë rrisqet e këtyre kontratave, që është sfidë me vete.

Ai tha se në këtë pikë së bashku me FMN,  kemi bërë një punë të vazhdueshme për ti forcuar njësitë e menaxhimit të këtyre kontratave. “Ndërkohë ministria e Financave është autoriteti që menaxhon dhe nuk lejon kapërcimin e kuadrit makro-ekonomik, pra të niveleve të paracaktuara të financimeve në total qoftë koncesioneve apo të investimeve të tjera. Sfida ngelet tek menaxhimi i rrisqeve, kostove dhe procedura sa më transparente”, tha ministri. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.