LONDËR – ”Daily Mail”: Autori i sulmit të Mançesterit u shpëtua nga Marina britanike

LONDËR, 31 korrik /ATSH-AFP/ – Autori i sulmit kamikaz të Mançesterit, ku u regjistruan 22 të vdekur në maj të vitit 2017, u evakua nga Libia tre vite më parë nga Marina britanike, bëhet sot e ditur në të përditshmen ”Daily Mail” që citon një burim qeveritar.

Salman Abedi, shtetas britanik me origjinë libiane, ishte pjesë e 110 britanikëve dhe familjeve të tyre që u evakuan nga ”HMS Enterprise” dhe u dërguan në Maltë në gusht të vitit 2014, sipas gazetës.

Ai hodhi veten në erë, në moshën 22 vjeç, në përfundim të një koncerti të këngëtares amerikane të muzikës pop, Ariana Grande në Mançester (veriperëndim të Anglisë) ku u vranë shtatë fëmijë dhe 15 të rritur.

‘’Që ky person do të kryente një mizori të tillë në territorin britanik pasi u shpëtua nga Libia është një tradhëti e pastër’’, sipas një burimi qeveritar cituar nga gazeta.

Vëllai i tij, Hashem Abedi, i cili është arrestuar në Libi në kuadër të hetimit për sulmin, ishte shpëtuar edhe ai gjithashtu.

Sipas një të njohuri të familjes Abedi, cituar nga gazeta ‘’Wall Street’’ vitin e kaluar, Abedi ishte kthyer në Libi së bashku me të vëllain në vitin 2011 për të luftuar përkrah milicisë së Tripolit, në luftë kundër regjimit të Muamar Kadafit.

Një zëdhënës i qeverisë britanike, i intervistuar nga media, theksoi se gjatë përkeqësimit të kushteve të sigurisë në Libi në vitin 2014, përfaqësues të forcave kufitare u dislokuan për evakuimin e shtetasve britanikë dhe familjeve të tyre.

Abedi u lind në Mançester në vitin 1994, prindërit kishin përfituar të drejtën e azilit politik pas largimit nga vendi për shkak të regjimit të Kadafit. Ai udhëtoi në drejtim të Libisë disa ditë përpara kryerjes së sulmit kamikaz./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.